Drejtori i Përgjithshëm i “Juventusit”, Fabio Paratiçi është shprehur i lumtur për fitoren e “Zonjës së vjetër” ndaj “Milanit”, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e të dielës në Torino, në kuadër të javës së 12-të të Seria A.
Paratiçi i pyetur për ecurinë e skuadrës u shpreh se impenjimet e shumta kanë bërë që futbollistët të mos jenë ende të ambientuar siç duhet me lojën e teknikut të ri, prandaj në fazën sulmuese mungojnë golat.
Duke folur për Higuain, Paratiçi u shpreh se bomber argjentinas është një nga tre sulmuesit më të mirë në botë. “Gonzalo po luan shumë mirë. Jemi të lumtur me rendimentin e tij. Është një djalë fantastik dhe një futbollist i madh. Jemi të lumtur që e shohim në formë, kërkoi me të gjitha forcat të qëndrojë te “Juventus” dhe ne e vlerësuam pozitivisht dëshirën e tij”-, tha Drejtori bardhezi.
“Cuadrado është një futbollist tejet i zgjuar. Po luan në disa pozicione dhe është mjaft i devotshëm. Jemi shumë pranë rinovimit të kontratës me të”-, bëri të ditur Paratiçi. /atsh