Në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në kryeministri u çel sot ekspozita “Përtej Kujtimeve”, me rastin e 70-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.
“Përtej Kujtimeve” ekspozon një koleksion pullash përkujtimore me tematikë Kinën, të lëshuara nga Posta Shqiptare përgjatë viteve 1968-2009, gjithashtu dhe vepra tradicionale artistike nga qyteti Nanjing, Kinë.
Në aktivitetin e zhvilluar mori pjesë Kryeministri Edi Rama, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, diplomë e zyrtarë të shumtë të cilët shijuan ekspozitën e rrallë, e cila u hap në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në Tiranë me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Rama tha se “kjo ekspozitë është shumë modeste për përmasën e veçantë të një marrëdhënie që daton 70 vjet, është sidoqoftë një moment kremtimi pikërisht këtij 70-vjetori. Një marrëdhënie sa e çuditshme aq edhe e veçantë mes një prej vendeve më të vegjël të Lindjes Europiane dhe më të madhin vend të lindjes së vetë rruzullit tokësor. Ky aktivitet është një moment kthimi vështrimi tek e shkuara nëpërmjet imazhesh që në shumicën e tyre na janë të njohur. Megjithatë, e përsëris që as kjo ekspozitë dhe as të gjitha aktivitetet e organizuara për këtë vit simbolik të marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Kinës, nuk mund të përtërijë të gjithë afishën shumëngjyrëshe të kësaj historie”.
Rama tha ndër të tjera se “nga ana tjetër besojmë shumë që Kina është një potencial i pashfrytëzuar në aspektin kulturor dhe në aspektin e të gjithë asaj që sjell bashkë me një kulturë kaq të larmishme, edhe një dije shumë të thelle dhe gjithanshme. E them këtë sepse midis kulturave tona ka pasur dikur një marrëdhënie dashurie, të gjithë e mbajnë mend por sot ka një boshllëk që me vënien në funksion të disa elementëve të dy realiteteve të reja, të mund të sjellë shumë më tepër seç ka sjellë në të shkuarën.
Ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding u shpreh se “Kina brohoret për çdo përparim që bën Shqipëria dhe gjithmonë dëshiron t’i ofrojë ndihmë asaj. Ndjesia është e ndërsjelltë dhe siç tregohet edhe në 16 pullat e ekspozuara këtu sot me temë “Kinën” të emetuara nga Shqipëria në periudha të ndryshme historike, ne shohim një vend 10 mijë milje larg Kinës që Kinën e ka parë gjithmonë në një këndvështrim mjaft të apasionuar. Këto pulla të vogla janë përqendrim i ndjenjave thella të të dy popujve dhe kam vënë re që shumë vepra arti janë për miqësinë tonë. Artistët folklorikë gjithashtu edhe nxënësit e shkollave të mesme dërgojnë përshëndetjet e tyre nga Kina në Shqipëri nëpërmjet paper-cutting që është arti tipik i punës së dorës. Veprat e artit janë magjike sepse kapërcejnë hapësirat dhe kohën për të na lidhur. Unë shpresoj që lidhja miqësore midis nesh të mos të prishet nga askush dhe asnjë forcë. Shpirti i një vendi, i një populli të tij mund të perceptohet përmes kulturës dhe artit të tij. Si Kina ashtu edhe Shqipëria janë vende që e dashurojnë artin dhe shkëmbimet artistike midis nesh kanë qenë mjaft aktive sepse ne ndajmë vlerat e hapjes dhe gjithëpërfshirjes dhe nuk janë të vetmet vlera që ne ndajmë sepse historia na ka mësuar që të festojmë sidomos kulturën, pavarësinë, dinjitetin tonë”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 29 nëntor./atsh