Loading...

Bashkëqeverisja/ Pas 10 vite zvarritje në zyrat e shtetit, legalizon banesën brenda 20 ditësh

Prej 10 vitesh Laze Duçellari nga Tirana kërkonte legalizimin e banesës së tij, por pa mundur të marrë zgjidhje. Ai vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe brenda 20 ditësh mori në dorë lejen e legalizimit.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje rastin e familjes Duçellari nga Tirana, që dëshmon edhe një herë tjetër funksionimin me sukses të platformës së bashkëqeverisjes.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Lazes nga Tirana, i cili pasi e shkroi problemin e tij te shqiperiaqeduam.al, vetëm në 20 ditë mori legalizimin e shtëpisë që e priste prej 10 vitesh, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

Prej 10 vitesh familja Duçellari në njësinë nr. 6 në kryeqytet, kishte futur në procedurë legalizimi dy kate të banesës së saj, por nuk kishte marrë ende një përgjigje.

“Banesën e kam ndërtuar në vitin 2000 dhe në 2008 kam filluar procedurën e legalizimit. Vajti gati 10 vjet që jam marrë me këtë problem dhe nuk marr zgjidhje. Kam vajtur pa fund në zyra dhe kam bërë të njëjtat letra dhjetra herë. Shpenzim kohe dhe parash”, tha Duçellari.

Edhe pse i kishte bërë të gjitha procedurat dhe pagesat e duhura, ai ende nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Kryefamiljari vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes dhe çdo gjë u zgjidh në kohën e duhur. “Mbas 20 ditësh më njoftuan dhe tërhoqa dokumentet e legalizimit”, tha ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com