Loading...

Program rajonal për investime në veri të Shqipërisë

Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi prej 200.000 euro për asistencë teknike për përgatitjen e një programi rajonal investimesh në Veri të Shqipërisë.

Ky është hapi i parë i një programi më të gjerë asistence teknike, që do të zbatohet në partneritet me FSHZH-në për të mbështetur rajonin me një vlerë deri në 3 milionë euro.

Asistenca teknike do të përfshijë vijën bregdetare të Adriatikut midis Shëngjinit dhe Velipojës, bregun e liqenit të Shkodrës, lumin Buna dhe portën e Koplikut në Alpet shqiptare, si dhe një pjesë të territoreve të bashkive të Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, BEI do të asistojë FSHZH për përcaktimin e strategjisë së turizmit të integruar dhe përmirësimit urban të Portës Bregdetare të Alpeve, marrjen në konsideratë të aseteve natyrore dhe potencialet e zonës, si dhe çështjet mjedisore.

“Duke ndihmuar për hartimin e një programi investimesh në infrastrukturën publike bazuar në potencialin e turizmit rajonal dhe një analize të thelluar të mangësive në infrastrukturën ekzistuese, Banka do të kontribuojë në zhvillimin e potencialit të pashfrytëzuar të Shqipërisë së Veriut”, tha Alessandro Bragonzi, përfaqësuesi i BEI-t për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Ky partneritet ilustron mbështetjen e BEI-t ndaj autoriteteve shqiptare për zhvillim të qëndrueshëm që sintentizon planet dhe sektorët ekzistues dhe u jep përparësi investimeve strategjike.

“FSHZH në rolin e vet si agjenci zhvillimore rajonale përmes kësaj nisme synon të sigurojë vizionin strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të portës së Alpeve që sintetizon planet ekzistuese, strategjitë sektoriale dhe investimet strategjike të mëparshme e të kohëve të fundit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit sheh te BEI një partner të rëndësishëm nga i cili ka marrë mbështetje të vazhdueshme prej shumë vitesh, për të realizuar misionin e vet në mbështetje të objektivave të qeverisë shqiptare. Përmes kësaj nisme ne kemi ndërmend të ndërtojmë një program gjithëpërfshirës investimesh, që do t’i përgjigjet nevojave dhe potencialeve territoriale, përmes një qasjeje të integruar ndërhyrjesh, duke përmirësuar atraksionet e kësaj zone, duke nxitur potencialin e gjenerimit ekonomik, duke investuar te njerëzit dhe shërbimet, si dhe duke përmirësuar shërbimet publike”, tha Dritan Agolli, drejtor Ekzekutiv i FSHZH. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com