Loading...

Rama: Alvin Berisha po kthehet në shtëpi

Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, po përcjell në këtë moment Alvin Berishën në Ambasadën italiane në Bejrut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentet e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili falënderon në mënyrë të veçantë Kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane.

“Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm”, – shprehet Rama.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “por për ne, përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin”.

Në operacionin për shpëtimin e Alvin Berishës ndihmoi edhe konsulli i Shqipërisë në Bejrut, Marc Ghorayeb. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com