Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”.
Në drejtimin e kryetares Rudina Hajdari komisioni për Integrimin Europian mori në shqyrtim projektligjin “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”.
Të ftuar për të folur rreth projektligjit ishin Ilir Bejtja, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe specialistë të kësaj ministrie.
Nga ana e tij, Bejtja referoi përpara komisionit se ligji në fjalë ka një histori prej 4 vitesh dhe tashmë është rënë dakord me të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit.
Më tej në lidhje me faktin sesa i afrohet ky projektligj legjislacionit të BE, Dedë Kasneci drejtor i Shërbimit të përafrimit të Legjislacionit tha se është analizuar përputhshmëria e tij dhe ky projektligj është përafruar me legjislacionin përkatës të BE.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme nga anëtarët, komisioni miratoi në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. /atsh