Në Urën e Vanës, në Delvinë, e dëmtuar ditën e djeshme për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ka nisur puna për rehabilitimin e saj.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili po ndjek nga afër punën në këtë urë tha për ATSH-në se “për zgjidhjen konkrete të rehabilitimit të urës po marrim masa që të kthehen edhe njëherë forcat xheniere, të cilat do të bëjnë çmontimin e urës dhe brenda 48 orëve të rehabilitohen këmbët e urës, ashtu siç i kërkon vetë standardi për urat bailey”.
“Ura e Vanës nuk është shqetësimi i këtij viti ka disa vjet që kjo urë shqetëson banorët dhe bashkinë. Nga qeveria janë marrë një sërë masash. Në krahët e urës dhe lumit janë ndërtuar penele nga Ministria e Bujqësisë që tregon angazhimin e qeverisë për mbrojtjen e tokës bujqësore, por edhe mundësinë për të investuar përfundimisht tek ura e Vanës”- theksoi Prefekti Mamaj.
Prefekti tha se jemi të angazhuar jo vetëm si bashki e prefekturë, por edhe bizneset e zonës për të kthyer qarkullimin normal të popullatës dhe mjeteve në urën e Vanës.
Bashkë me Prefektin Mamaj ura u inspektua edhe nga kryetarja e bashkisë së Delvinës, Majlinda Qilimi, e cila u shpreh se “”po mundohemi të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë për ta bërë të kalueshme urën për banorët e fshatit Vanë”.
“Kemi hulumtuar në arkivat e bashkisë për të gjetur projektin e dikurshëm pasi nuk kemi mundësi për të bërë një projekt të ri. Nuk e kam gjetur. Megjithatë do të ndërtojmë një projekt të ri për ndërtimin e kësaj ure, që do ti japë patjetër zgjidhje përfundimtare këtij problemi kaq jetik për banorët e kësaj zone”, – tha Qilimi.
Ura lidh 350 banorë të fshatit Van me rrugën nacionale./atsh