Ura e fshatit Van në Delvinë, rreth 70 metër e gjatë është dëmtuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se ura është e bërë e pakalueshme dhe po punohet nga kryetarja e bashkisë, Majlinda Qilimi, me bizneset private dhe kapacitetet e bashkisë të bëjnë mbrojtjen e urës nëpërmjet hedhjes së gurëve masivë”.
“Pas kësaj do të ndërhyhet me një vinç për të vendosur bazamentin që ura të bëhet e kalueshme”, – tha Mamaj.
Ura lidh 350 banorë të fshatit Van me rrugën nacionale.
Në lidhje me situatën e reshjeve në bashkitë e tjera të qarkut të Vlorës, Prefekti Mamaj bëri të ditur se “në bashkitë e tjera të qarkut nuk është shënuar asnjë problem dhe të gjitha rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme”.
Vendi ynë është përfshirë sot nga reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe të lartë. Reshjet janë në formën e rrebesheve, stuhive dhe breshërit shoqëruar me shkarkesa elektrike./atsh