Gjatë seancës së sotme plenare Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kërkoi votimin për “Projektligjin e Rinisë”, një ligj i cili për herë të parë do të krijojë mekanizmat për fuqizimin e plotë të rinisë.
Shahini tha se, “pas konsultimit me të rinjtë në gjithë Shqipërinë sot prezantoj një ligji i cili për herë të parë krijon mekanizmat për fuqizimin e plotë të rinisë në Republikën e Shqipërisë. 25% e popullsisë shqiptare janë të rinj nga mosha 15-29 vjeç. Këta të rinj përveç punësimit dhe shkollimit kanë nevojë edhe për aktivitete të tjera në jetën e tyre. Ata kanë nevojë të angazhohen për të mirën publike, të argëtohen dhe të shoqërohen si aktivitete që mundësojnë socializimin e tyre dhe që rrisin empatinë për të tjerët. Ata gjithashtu kanë nevojë të çojnë përpara idetë novatore që vetëm të rinjtë mund të kenë dhe që kanë impakt për gjithë shoqërinë”.
“Shkollimi dhe punësimi i të rinjve janë adresuar me ligje të tjera. Është pjesa e mbështetjes së organizimit rinor, përfaqësimit në vendimarrje dhe financimi publik i aktiviteteve rinore që rregullohen me këtë ligj. Ligji bën disa gjera që përpara nuk kanë qenë të mundura. E definon rininë si persona me moshën 15-29 vjeç, identifikon dy kategoritë e organizmit rinor që janë organizatat rinore të përbëra nga të rinjtë dhe organizatat për të rinjtë që janë organizata që zbatojnë projekte prej të cilave përfitojnë të rinjtë”, tha Shahini.
Ajo shtoi se, “për herë të parë mundëson financimin publik të këtyre organizatave. Këto organizata bashkarisht mund të themelojnë një organizatë përfaqësuese që mundëson realizimin e dy qëllimeve, gjithëpërfshirjen e të rinjve si dhe bashkimin e forcave të organizatave të ndryshme në mënyrë që Shqipëria të mund të përfaqësohet sa më mirë ndërkombëtarisht dhe të ketë akses në financime të ndryshme nga Bashkimi Europian”.
“Objekti i këtij ligji është mbrojtja e të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse, krijimi i kushteve për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve. Përcaktimi i funksioneve dhe kompetencave të institucioneve në nivel qendror dhe vendor si dhe bashkëpunimi me organizatat që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë”, theksoi Shahini.
Ajo vijoi se, “ligji është ndërtuar mbi disa parime bazë që janë shumë të rëndësishme, parimi i mosdiskriminimit, parimi i lirisë së organizmit dhe iniciativave rinore të vetqeverisjes së organizatave, parimin e mundësive të barabarta dhe garantimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikbërse në fushat që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve”.
“Garantimi i pjesëmarrjes sigurohet përmes themelimit të dy institucioneve të reja që themelohen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë. Është Këshilli Vendor Rinor pranë secilës bashki me përbërje nga të rinjtë e përzgjedhur nga vet organizatat rinore dhe do të ketë dhe përfaqësuese të institucioneve të tjera që merren me politika rinore në nivel bashkiak. Gjithashtu do themelohet dhe Këshilli Kombëtar Rinor me përbërje nga të rinjtë prap të përzgjedhur nga organizatat rinore dhe do ketë përfaqësues nga ministritë e tjera të cilët marrin vendime që prekin të rinjtë”, përfundoi ministrja Shahini. /atsh