Shqipëria dhe gjatë muajit tetor ka mirëpritur një numër të madh turistësh të huaj të cilët kanë vizituar pikat më interesante turistike, pasi vendi ynë po shndërrohet në një vend me turizëm gjithëvjetor, për shkak të ditëve të shumta me diell.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shprehet se, “gjatë muajit tetor Shqipëria është vizituar nga 387, 152 vizitorë të huaj, 14.7% më shumë se në tetor të 2018”.
Gjatë stinës së verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. /atsh