Kanionet e Skraparit janë shndërruar në një destinacion të adhurueshëm dhe që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale pamje nga Kanionet e Osumit, një tjetër destinacion i Shqipërisë turistike.
Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, të shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit të Osumit rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, 70-80 m i thellë, me shpatë vertikale, përfund të cilëve rrjedh lumi i Osumit.
I cilësuar edhe si “Koloradoja e Shqipërisë”, pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.
Rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga guidat më të preferuara pothuajse nga të gjitha grupmoshat.
Në një distance prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e raftingut kalojnë shumë ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si ‘’syri’’, ‘’porta e djallit’’, ‘’krokodili’’ apo ‘’katedralja’’.
Në këtë Kanion, nga fundi i muajit Prill deri në mesin e muajit Qershor, zhvillohet sezoni i sportit të rafting. Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe gjithë bota vijnë jo vetëm për të ushtruar në ujërat e tij, sportin e bukur të raftin, por edhe për të eksploruar magjinë e natyrës shqiptare./atsh