Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë prej disa ditësh po punon në stacionet dhe remontet përkatëse të kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit bregdetar.
Drejtori i UK, Vlorë, Dorian Xhelili, thekson se se “po vazhdojmë paralelisht me mirëmbajtjen , pastrimin e sistemimin që mund të kenë nevojë në stacionet e pompimit të ujërave të zeza. Ka përfunduar puna në tre prej këtyre stacioneve që janë edhe më të mëdha dhe kanë peshën e të gjithë këtij rrjeti, ndërsa po vazhdojmë edhe me stacione të tjera”.
Sipas tij, paralelisht po ecim edhe me mirëmbajtjen e sistemin e rrjetit në të gjithë qytetin, ndërsa vëmendja kryesore është në pikat më problematike.
Duke u ndalur tek puna që është bërë në zonën pranë shkollës “24 maji”, Xhelili tha se “po bëjmë pastrimin pas një inspektimi të bërë me sistemin e kamerave dhe monitorimin me sistemin robot”.
Një problem i ngritur prej Xhelilit, është edhe hedhja e mbeturinave në rrjetin e kanalizimeve.
“Nuk duhet të harrojmë se reshjet e shiut sjellin mbetje nga më të ndryshmet. Ne vazhdojmë me pastrimin, mirëmbajtjen dhe kryesorja është bashkëpunimi me qytetarët , që të mos hidhen më mbetje në rrjetin e kanalizimeve”, – shtoi Xhelili.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve do të vijojë të punojë me intensitet që rrjeti të përballojë me sukses stinën e vjeshtës dhe të dimrit./atsh