Kunguj të mëdhenj bosh, por të ndriçuar nga brenda, skeletë të çuditshëm, figura hije, kostume të shumëllojshme, këto gjëra na vijnë në mendje për festën e Halloween.
E kjo atmosferë ndihet edhe në rrugët e kryeqytetit duke u kthyer edhe në një garë se kush veshë kostumin më të frikshëm.
Kjo festë e ka prejardhjen në kremtimin e ndërrimit të viteve të kalendarit të keltëve, natën midis 31 tetorit dhe 1 nëntorit. 600 vjet para Krishtit populli kelt mirëpriste në këtë mënyrë muajt e errët të dimrit duke u ndarë në të njëjtën kohë nga periudha e lulëzuar e verës.
Halloween ka marrë një dimension argëtues dhe thuajse kulturor edhe në vendin tonë, ku njerëzit organizohen dhe duke veshur kostume të frikshme, maska, apo duke pikturuar fytyrat për të ngjarë sa më të vdekur, ekspozohen rrugëve e festojnë deri në orët e vona festën e “frikshme”.
Druidët (lloj besimi) ja përkushtonin këtë natë Zotit të tyre të vdekjes, Samhain. Gojëdhëna thotë se ai i mblodhi shpirtrat e të vdekurve të 12 muajve të vitit të shkuar, pasi ata i kishin larë mëkatet e tyre dhe i dërgoi në parajsën e keltëve.
Njerëzit mblidheshin në kodrat mbi tokat e tyre dhe duke ndezur zjarre të mëdhenj, përzenin shpirtrat e këqinj të vitit që shkoi. Më pas, shuanin përkohësisht zjarrin në shtëpitë e tyre dhe pak më vonë e ndiznin përsëri.
Kështu emri Halloween i ka rrënjët në Europë. Kisha ua mori keltëve këtë zakon gjatë përhapjes së Krishtërimit. Ishte At Gjergji IV, i cili në vitin 837 e ringjalli 1 Nëntorin duke e quajtur Dita e të gjithë Shpirtrave.
Për të mos shtrembëruar besimin tek Samhai, kjo ditë është menduar të jetë edhe dita e të vdekurve. Vetëm në shek. XIX Halloween arriti të kalojë Atlantikun për në Amerikën Veriore së bashku me pasardhësit e keltëve, irlandezët, të cilët shtegtuan atje për shkak të kushteve të këqija të jetesës. Atje, ky zakon u përhap shpejt në të gjithë vendin, por gjatë përhapjes pësoi edhe ndryshime të dukshme. Kështu tashmë Halloween më tepër përngjan me karnevalet sesa me zakonet e mëhershme.
Shenja dalluese e Halloween-it është kungulli, e cila e ka prejardhjen nga SHBA. Por ama arsyeja e përdorimit të kungullit me vrima me pamje të jashtme të frikshme dhe njëkohësisht të bukur rrjedh gjithashtu nga koha e keltëve.
Një njeri me emrin Jack O’Lanten duhej të shkonte në ferr pas vdekjes së tij. Por Djalli e ktheu mbrapsht duke i dhënë një copë qymyri (thëngjill) që digjej që ta kishte gjatë gjithë rrugës.
Jack-u e vendosi qymyrin në një rrepë të madhe dhe u nis drejt drejt një udhëtimi të pafund meqë nuk e lejuan të futej në asnjë mbretëri të vdekurish. Për njerëzit ishte më se e qartë që rrepa me qymyrin u shtinte tmerrin para së gjithash shpirtrave të këqinj. Meqenëse amerikanët përdorën kungullin në vend të rrepës, ai mbeti shenja dalluese e Halloween./atsh