“Drejt suksesit të PS 2021!” Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati duke shtuar se procesi zgjedhor brenda strukturave të Partisë Socialiste është drejt finalizimit, si një hap i rëndësishëm që do ta çojë këtë forcë politike drejt një mandati të tretë qeverisës.
Bushati, së bashku me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, kanë zhvilluar një takim me Komisionin e Zgjedhjeve në Parti për t’u siguruar që ky proces thelbësor të kryhet në një mënyrë objektive.
“Bashkë me Elisën organizuam sot një takim me “Komisionin e Zgjedhjeve në Parti”, në kuadër të finalizimit të procesit zgjedhor të të deleguarve të Partisë Socialiste. Së bashku do të sigurohemi që ky proces thelbësor të kryhet në një mënyrë objektive dhe të pavarur dhe me vëmendjen e angazhimin maksimal për rezultatet në 2021. Ne i detyrohemi një mandat tjetër çdokujt që na besoi deri më sot dhe atyre që do t’ju shtohet besimi në vijim, si rezultat i punës tonë!” shprehet Bushati./atsh