Loading...

Policia godet grupin e trafikut të klandestinëve në Pogradec, 1500 euro për të shkuar drejt vendeve të BE

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Pogradec dhe Korçë, kanë zhvilluar dhe finalizuar një tjetër operacion policor, ku falë veprimeve të mirëorganizuara kanë goditur dy raste, të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së.

Policia ka finalizuar operacionin policor, të koduar “Klandestinët” si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 5 shtetas dhe 1 tjetër u shpall në kërkim, pasi po transportonin 19 shtetas të huaj.

Policia bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve: H.H, 30 vjeç, banues në fshatin Domje, Tiranë; B.Gj, 27 vjeç, banues në fshatin Domje, Tiranë; A.B, 19 vjeç, banues në Kamëz, (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”); E.I, 27 vjeç, banues në Tiranë; M.M, 20 vjec, banues në Tiranë. Ndërsa u shpall në kërkim shtetasi E.K, 29 vjeç, banues në Domje, Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se pesë shtetasit në periferi të qytetit të Bilishtit, kanë marrë në mjetin tip minibus, të markës “Volkswagen”, 15 shtetas të huaj, me qëllim kalimin e tyre më pas drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës 1000 deri në 1500 Euro secili.

Në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë në dalje të Pogradecit shtetasit A.B dhe E.I, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por falë ndërhyrjes së menjëhershme është bërë e mundur ndalimi dhe arrestimi i tyre në flagrancë.

Gjithashtu në fshatin Memëlisht, Pogradec, shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin M.M, duke transportuar me mjetin tip “Peugeot”, 4 shtetas të huaj.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com