“Ballkani Perëndimor nuk është “delja e zezë” e BE”, deklaroi : Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në Konferencën e kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, Strasbourg.
“Si përfaqësues i një vendi të vogël dhe periferik të Europës së sotme, kam arsye më shumë të përfytyroj realizimin e ëndrrave të vendeve të vegjël si Shqipëria. Të vendeve që edhe pse jetojnë nën çatinë e shtëpisë së përbashkët me 47 anëtarë që quhet Këshilli i Europës, janë ende, disa jashtë dhe disa në prag, të familjes me 27-28 anëtarë që quhet Bashkimi Europian”, tha Ruçi.
“Europa është sot vendi më i bukur në botë. Programet dhe skenarët e zhvillimit të 70 vjetëve të fundit e kanë bërë kontinentin më pak konfliktual dhe më shumë solidar. Por megjithatë, Europa jonë mbetet kontinenti i asimetrive. Besoj se në dekadat që pasojnë, Europa do t’i ketë zbutur mjaft prej tyre, theksoi kreu i Kuvendit.
“Bindja ime e parë është se dy-tre dekadat e ardhshme, familja europiane do të jetë e gjitha brenda shtëpisë europiane. Europa do të vuajë më pak nga pasojat e asimetrive midis Veriut super të zhvilluar dhe Jugut, në zhvillim e përpjekje për të arritur Veriun”, u shpreh ai.
“Gadishujt e Europës, Skandinavia, Gadishulli Iberik, Apeninet dhe Ballkani nuk do të jenë më kaq të ndryshëm për nga ritmet e zhvillimit, aftësitë konkurruese, niveli i mirëqenies dhe kontributi për paqen. Ballkanasit nuk do të kenë më nevojë për negociatorë skandinavë për tú qetësuar midis tyre”, tha Ruçi.
“Europa Jug-Lindore si koncept ndoshta nuk do të ekzistojë më sepse diferencat që e lindën këtë nocion do të jenë zhdukur, të paktën zbutur shumë. Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më “delja e zezë” për udhëheqësit europianë, por një vlerë e shtuar për familjen europiane”, theksoi Ruçi.
“Konstruktivizmi dhe jo obstruksionizmi do te jene filozofia e marrëdhënieve midis rajoneve të kontinentit tonë. Kufijtë kulturorë dhe politikë të Europës do të bëhen më pak të përfillshëm dhe do të përputhen, ndoshta, me kufijtë gjeografikë të saj. Për ata që do të mblidhen në këtë Pallat pas 70 vjetësh, arsyet që mbajnë gjallë konfliktet fetare do të jenë zbutur. Mjafton që shtetarët dhe politikanët europianë të ndjekin modelin e bashkëjetesës që ofron Shqipëria ime”, u shpreh Ruçi./atsh