Loading...

Basha: Asnjë kompleks për t’u ulur në dialog për kapërcimin e krizës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë televizive se, “nuk ka asnjë kompleks për t’u ulur dhe për të diskutuar për kapërcimin e krizës politike”.

“Nuk kam asnjë kompleks as të ulem, as të diskutoj. Ka një problem. Për të paktën tre herët e fundit, kryeministri aktual e ka abuzuar vullnetin e opozitës dhe timin personal, për të zgjidhur problemet me dialog. Pra, është e qartë që kemi të bëjmë me mungesë vullneti, dëshire, do të thoja edhe kapacitetesh, nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër”, u shpreh Basha.

I pyetur mbi kërkesën e vazhdueshme të PD-së për zgjedhje të parakohshme dhe sesi do të arrihet kjo me Ramën kryeministër apo me qeveri tranzitore, Basha tha se “nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë”.

“E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu, problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët?! Avdylajt?”, tha Basha.

I pyetur mbi takimin e opozitës së bashkuar për Reformën Zgjedhore, Basha tha se “janë vendosur piketat për çështje kryesore që kanë të bëjnë me reformimin e partive politike, ligji për partitë politike”.

“Së dyti, problem shumë kryesor do të thoja më kryesori i reformës, ndarja e politikës nga krimi. Hapi tjetër ka të bëjë me garantimin e votës së lirë. Dhe këtu, natyrisht do të ketë propozim, një propozim prej vitit 2016 që Edi Rama e zvarrit që është ai për votimin elektronik dhe numërimin elektronik si edhe identifikimin me shenjat e gishtërinjve të zgjedhësve për të, në mos zhdukur, për të zvogëluar mundësinë për abuzime”, tha ai.

Basha komentoi edhe deputetët e rinj të ardhur nga opozita në Kuvend, Për të cilët tha se “është një shans për reflektim dhe për ndryshim që kjo të mos përsëritet më kurrë”.

“Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament, pavarësisht nëse partia e tij është në qeveri apo jo, dhe të mos shohin faktin që, kur partia është në qeveri, deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën çfarë t’u thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe, shpeshherë, me interesa korruptive, që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit”, tha Basha./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com