Loading...

Lleshaj: Të përkushtuar në luftën kundër kërcënimeve terroriste

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mori pjesë në një tryezë rajonale ekspertësh ku u diskutua për sfidat që paraqet terrorizmi si fenomen dhe kthimi i luftëtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre në vendet e origjinës.

Tema kryesore që u trajtua në këtë forum ishte “Zhvillimi dhe implementimi i strategjive për procedim, rehabilitim dhe ri-integrim lidhur me rikthimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe anëtarëve të familjeve të tyre”.

Lleshaj u shpreh se vendi ynë ka qenë aktiv në përpjekjet rajonale dhe globale për të parandaluar dhe luftuar kërcënimet terroriste. Ai nënvizoi aktet ligjore të miratuara dhe strukturat e posaçme që ka ngritur vendi ynë, për t’i bërë ballë këtij fenomeni.

“Shqipëria ka një emër të mirë në hetimin dhe procedimin e veprave që lidhen me terrorizmin”, theksoi ndër të tjera ai.

Në lidhje problemet që dalin tani në situatën pas rënies së ISIS, Ministri Lleshaj u shpreh se “terrorizmi nuk njeh kufij dhe asnjë vend nuk është i paprekshëm prej propagandës dhe akteve terroriste. Pavarësisht disfatës ushtarake dhe humbjes territoriale të ISIS, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten një shqetësim madhor për sigurinë tonë. Kthimi dhe zhvendosja e luftëtarëve të huaj terroristë dhe personave familjarë të tyre, në vendet e tyre të origjinës apo kombësisë, ose në vende të treta, paraqet një sfidë të vazhdueshme dhe në rritje. Shqipëria ka qenë vazhdimisht pjesë e përpjekjeve rajonale dhe ndërkombëtare për të parandaluar dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve terroriste. Ne kemi miratuar ligje të reja në përputhje me rezolutat e njohura të Këshillit të Sigurimit të OKB, të cilat adresojnë rrezikun e luftëtarëve të huaj terroristë dhe ekstremizmit të dhunshëm. Shqipëria ka rezultate të mira në hetimin dhe procedimin e veprave që lidhen me terrorizmin. Shqipëria ka përmirësuar kuadrin ligjor, ka forcuar kapacitetet e agjencive ligjzbatuese për të hetuar dhe proceduar terroristët, nëpërmjet krijimit të Njësisë Anti-Terror në Policinë e Shtetit”.

Lidhur me hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet dhe bashkëpunimi me komunitetin, Ministri Lleshaj tha se “së bashku me Qeverinë, shoqërinë civile, drejtuesit e komuniteteve fetare, shoqërore dhe edukative, si dhe të rinjtë, duhet të angazhohemi dhe veprojmë për të parandaluar dhe adresuar radikalizimin dhe rekrutimet. Vetëm duke punuar së bashku, ne do të jemi në gjendje t’i kundërvihemi ideologjisë së tyre të rrezikshme dhe të ndërtojmë komunitete të qëndrueshme.

Nën dritën e kësaj, ne besojmë fort se vetëm me një politikë rajonale konstruktive, bashkëpunim i fortë dhe mirëbesim, ne mund të adresojmë sfidat që lindin nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi. Si anëtarë në NATO dhe vend kandidat për në BE, ne mbetemi të përkushtuar që të marrim pjesë aktivisht në luftën kundër kërcënimeve terroriste, njëherësh duke mbrojtur të drejtat njerëzore dhe sigurinë e vendit dhe qytetarëve tanë,” nënvizoi ministri i Brendshëm. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com