Loading...

Basha: Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme, nuk e përjashtojmë dialogun

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një intervistë televizive ka deklaruar sot se mos hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian erdhi si pasojë e mos përmbushjes siç duhet të detyrave nga ana e qeverisë shqiptar, sidomos në drejtim të luftës kundër krimit e korrupsionit.

“E para, nuk e them unë. E thotë vetë Bashkimi Europian, që, në rastin e Shqipërisë nuk pati konsensus, por, përkundrazi, kishte një numër të madh vendesh, jo vetëm Franca, që ishin kundër. Arsyet, po kështu, këto vende, i kanë bërë të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, ndarja e pushteteve është cituar si problematikë”,. tha ai.

I pyetur në lidhje me zgjedhjet e parakohshme të artikuluara së fundmi nga ana e tij, Basha tha se, Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. “Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës, Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash,” u shpreh Basha, duke shtuar se me Kryeministër Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha tha se ai nuk e ka përjashtuar asnjëherë dialogun, por, tha ai, jo siç ndodhi në 2017-ën, ku sipas tij u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesa tona politike dhe u nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua.

“Ne e kemi bërë fare të qartë rrugën për të ecur përpara. Kushtet e Bundestagut janë të qarta, reforma zgjedhore duhet të jetë me pjesëmarrje të të gjithë forcave politike dhe kjo reformë zgjedhore nuk duhet të kalojë vetëm në letër por të zbatohet. Që do të thotë për ne, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale,” deklaroi më tej Basha.

Basha tha se pas Berlinit do të niset në SHBA me qëllim dhënien fund të krizës politike në Shqipëri. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com