“Ky fëmijë është motivi për të jetuar dhe gëzimi i jetës sonë”, shprehet Altin Hysaj, i cili bashkë me bashkëshorten e tij iu plotësua dëshira për të birësuar një fëmijë, pas ankesës drejtuar platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, për shkak të zvarritjes së procedurave kërkesës së tyre.
Kjo histori shkaktoi tërmet në strukturat shtetërore të birësimit. Rasti i Altinit nuk është vetëm një histori njerëzore, por edhe një leksion për të gjithë ata që shkelin dhe anashkalojnë ligjin.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me rastin e Altinit dhe bashkëshortes së tij, të cilët gjetën më në fund zgjidhjen e shumëpritur.
“Mirëmëngjes dhe me rastin e Altinit që pasi e shkroi problemin e tij te shqiperiaqeduam.al, jo vetëm gjeti zgjidhjen e shumëpritur, por edhe tronditi fort një institucion, ju uroj një fundjavë të bukur”, shprehet Rama
Altini shprehet se “bashkë me bashkëshorten time vendosëm që në 2016 të birësonim një fëmijë. U mblodh bordi drejtues që na dha ne përshtatshmërinë për të birësuar dhe rritur një fëmijë. Muajt, vitet kalonin dhe nuk po e merrnim vesh pse nuk po na i jepnin. Na nxirrnin pretekstin se përshtatshmëria ishte marrë me të njohur, sikur nuk kishim shtëpi të rregulluar. Megjithatë e rregullova shtëpinë po aty u pa që problemi nuk ishte shtëpia, por ishte problemi i lekëve , rryshfeti. Ka qenë shumë e vështirë se lija punën unë dhe nusja dhe vinim këtu, na u bë stres, në familje stresi është i pranishëm gjithandej”.
Më pas Altini vendos ti drejtohet me një kërkesë platformës së bashkëqeverisjes.
“Në tetor të vitit 2016 kam aplikuar pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit për birësimin e një fëmije . Në shkurt të vitit 2017 u bë mbledhja e Bordit dhe vendosi miratimin e kërkesës sime. Një nga kushtet ishte qe ne të rregullonim shtëpinë, që të krijonim shtëpinë, që të krijonim kushtet optimale për rritjen e fëmijës. Pasi e përfunduam rregullimin e shtëpisë në maj të 2018 drejtoresha nuk ka bërë asnjë veprim të mëtejshëm për përfundimin e procedurave dhe birësimi nuk po realizohet . Edhe pse kam plotësuar të gjitha kushtet asnjë s’po më përgjigjet. Kërkoj zgjidhjen e ngërçit dhe një përgjigje zyrtare se përse nuk po realizohet birësimi”, shkruan në letrën drejtuar platformës Altin Hysaj.
Me rekomandimin e bashkëqeverisjes u krye një hetim nga Task Forca Antikorrupsion, nga të cilët u morën masat ndëshkimore ndaj personave përgjegjës për pengesat në procesin e birësimit.
Lenada Caroshi , Kryetare komanduar e Komitetit Shqiptar të Burësimeve thekson se “çështja është dërguar në Prokurori dhe janë disa pika që i paraqet drejtimi administrativ për një punonjës të administratës publike, largimi nga puna, nga statusi i nëpunësit civil”.
Më 9 tetor ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha në Kuvend se “jemi angazhuar për një reformë të thellë në fushën e birësimit dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.
Altini thotë se “fëmija u mor dhe është motiv për të jetuar. I falënderoj të gjithë ata që më përkrahën dhe më në fund u zgjidh e drejta”./atsh