140 kryetarë nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të përfaqësojnë shkollat e bashkive të tyre në “Parlamentin e nxënësve”.
Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, bëri të ditur sot se “u mbyllën zgjedhjet e para për “Parlamentin e Nxënësve”.
“Jam super e impresionuar me angazhimin dhe seriozitetin e garuesve dhe mezi po pres që deputetët e rinj të themelojnë parlamentin dhe të fillojmë me debatet për cilësinë e shërbimit arsimor nëpër shkolla”-, theksoi Shahini.
Ministrja Shahini shprehet se “për të gjithë ata që nuk kanë marrë votat e duhura për të qenë pjesë e parlamentit, kini parasysh se do të organizojmë aktivitete në secilën bashki”.
Në fokus primar të “Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë”, i cili do të shërbejë si një organ këshillimor pranë MASR, është zhvillimi dhe thellimi i çdo lloj politike që synon drejtpërdrejtë përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend, rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, si dhe angazhimin e shtuar të tyre në vendimmarrje./atsh