Loading...

I përmbushëm detyrat jo një herë, por dy herë rresht. Ndërtojmë shtëpinë europiane në vendin tonë

“Kemi marrë një refuzim për t’u marrë në konsideratë për çeljen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi marrë asgjë më shumë se kaq, rruga jonë është e njëjta pa asnjë ndryshim, sepse ato që kemi bërë deri tani e do të vazhdojmë të bëjmë i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë për vendin tonë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin në Detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mbi dështimin e konsensusit në Këshillin Europian, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

“Nëse kemi bërë një reformë në drejtësi që vazhdon, natyrisht kemi bërë një reformë që nuk i është kërkuar fare disa prej vendeve që kanë hyrë në BE, jo përpara se të çelnin negociatat pro, as kur kanë qenë në përfundim të tyre, e kemi bërë se është gjëja e duhur për ne dhe popullin tonë”, – theksoi Rama.

Ashtu sikundër do të vazhdojmë, vijoi Kryeministri, po njësoj me plotësimin e parakushteve të vendosur në votën ‘Po’ të Bundestagut për reformën zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe natyrisht në pritje të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Do vazhdojmë më pas me pjesën tjetër që ka të bëjë me pikë për pikë kërkesa të lidhura me funksionim më të mirë të shtetit tonë dhe të sistemit tonë të institucioneve dhe jo sepse e ka kërkuar Gjermania dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje ajo që do të ndodhë në muajt në vijim apo do të ndodhë përpara samitit të Zagrebit ne do t’i bëjmë apo s’do t’i bëjmë, do t’i bëjmë këto dhe gjithë të tjerat pa ndryshuar asgjë”, – theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “kjo është një përplasje mes të mëdhenjve dhe është një lojë në thonjëza qasjesh dhe interesash që është shumë më e madhe se ne, qoftë ne si Shqipëri, qoftë ne si rajon. Ama nga ana tjetër askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e përjashton perspektivën e integrimit tonë si rajon dhe si vende në BE”.

“Në fund të fundit e kam thënë gjithmonë dhe është dita për ta përsëritur edhe më fort procesi i integrimit është një proces i transformimit të brendshëm nuk është një proces për t’iu pëlqyer të tjerëve, një transformim i brendshëm që përputh legjislacionin’, përputh sistemin e funksionimit të institucioneve me legjislacionin e sistemit të funksionimit të kësaj familje të madhe në funksion të njerëzve tanë”, – tha Rama.

Kryeministri shtoi se “dua ta vë theksin shumë qartë tek fakti se ndërkohë ata të cilët janë jashtë nesh, ata të cilët përfaqësojnë BE e thonë pa ekuivok që në mosarritjen e vendimit të djeshëm përgjegjësia është e brendshme e BE-së, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që këtu mes veti fillon dhe shtrohet diskutimi sikur mosvendimi i djeshëm vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Ne i kemi përmbushur detyrat jo një herë, por dy herë rresht”.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, nuk mund të mos shtoj se Franca është një nga themelueset e shtëpisë së përbashkët të BE-së, është në të drejtën dhe legjitimitetin e vet që të kërkojë ndryshimin e rregullave brenda një shtëpie, që siç e dëgjuat Presidentin e Francës sot, nuk funksionon.

“Nga ana jonë ajo që mbetet esenciale është të vazhdojmë rrugën që kemi nisur, të vazhdojmë përpjekjet që kemi bërë dhe ndërtimin e shtëpisë europiane në vendin tonë se për këtë është gjithë procesi, pastaj përputhja e qasjeve është një çështje që është më e madhe se ne dhe natyrisht ndikimi ynë në këtë është minimal, për të mos thënë zero”, – tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com