Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar ndaj vendimit të Francës për të vendosur veton ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Hajdari shprehet se është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qenë një hap më afër Europës shtyhet për një moment tjetër.
“A ka ndonjë përgjegjës në këtë vend për përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike? Përparësitë që ne duhet të kemi shtohen gjithnjë e më shumë. Pesë prioritetet e Komisionit Europian, vijojnë me 9 kushtet e Bundestagut, shtohen me azilkërkuesit në Francë. Sot Zoran Zaev njoftoi dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Kjo është çështje morali politik dhe përgjegjësie e lartë institucionale. Po këtu tek ne, a ka moral politik dhe përgjegjësi institucionale minimale?”, shprehet Hajdari.
Deputetja i kërkon qeverisë shqiptare të hartojë një plan të detajuar masash, bazuar mbi të gjitha përfundimet e Këshillit Europian, duke përfshire shqetësimet e secilit prej vendeve anëtare që kanë qenë kundër hapjes se negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.
“Të gjitha këto masa që do merren, duhet të konsultohen sa më shpejt me institucionet kushtetuese dhe të monitorohen hap pas hapi. Ky plan veprimi duhet të ketë koston buxhetore reale për mbështetjen e këtij procesi. Në buxhet duhet të specifikohet qartë si do të përballohen shpenzimet për përmbushjen e këtyre detyrimeve,” shtoi ajo duke nënvizuar se angazhimi duhet jetë serioz dhe jo deklarativ. “Të ulemi në tryezë të flasim për çdo pikë, pa dallime politike, apo të çdo lloj përkatësie tjetër, ku në qendër të vëmendjes duhet të mbajmë qytetarin shqiptar”, shprehet deputetja Hajdari. /atsh