Deputetja socialiste Blerina Gjylameti deklaron se “Jo-ja” e Francës nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë, por buron nga debati i njohur i rritjes së ekstremizmit në Europë kundra zgjerimit të BE-së.
Gjylameti thekson se Shqipëria realizoi një nga reformat më të suksesshme atë në drejtësi, duke shënuar qartësisht një standard të zhvillimit europian. “Jo-ja e Francës buron nga debat i njohur i rritjes së ekstremizmit në Europë që hodhën tezën kundra zgjerimit. Jo-ja e Francës nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë. Shqipëria realizoi një nga reformat më të suksesshme atë në #drejtësi, edhe mbi të gjitha e ka moderuar në mënyrë aq të kujdesshme, ku nuk duhet të harrojmë faktin se të marrësh përsipër të pastrosh drejtësinë e kalbur nga korrupsioni 30 vjeçar, shënon qartësisht një standard të zhvillimit europian. Opozita e baltës me në krye Bashën që po bën sikur i vjen keq për Shqipërinë duke shpifur ende në kurriz të saj, duhet pyes veten se si mund të jetë me Europën kur deri tani shqiptarëve i ka propozuar veç rrëmujë dhe baltë?”, thekson deputetja socialiste.
Deputetja Gjylameti nënvizon se hiperbola e madhe e baltosjes ndaj Shqipërisë, se gjoja vendit tonë nuk iu hapën negociatat nga që qeveria nuk bëri detyrat, është një farsë e madhe, ndërsa vlerëson edhe qëndrimin që mbajti Gjermania në mbështetje të hapjes së negociatave me vendin tonë.
“Jo-ja e Francës nuk ka lënë Shqipërinë jashtë Europës, Shqipëria aty është! Të udhëhequr që prej historisë sonë nga vlerat europiane, harmonia e etniteteve, qasjes ndaj perëndimit dhe Europës fituam emërtimin që në tavolina e ekrane thuhet se “Shqipëria është një vend pro europian”. Hiperbola e madhe e baltosjes ndaj Shqipërisë, se gjoja vendit tonë nuk iu hapën negociatat nga që qeveria nuk bëri detyrat, është një farsë e madhe duke e përdorur mosmarreveshjen e njohur të krizës së azilantëve që BE-ja ka mes saj.
Edhe megjithatë është për t’u vlerësuar pjesa që Gjermania mbështeti Shqipërinë duke i tërhequr vëmendjen dhe politikave të Francës, se nuk janë arsye për mos të hapur negociatat”, deklaroi Gjylameti./atsh