Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit mbi “Konkluzionet e Këshillit Europian për Zgjerimin”.
“Faleminderit SHBA”, shprehet Rama ndërsa publikon edhe qëndrimin e SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë”, thuhet në deklaratën e DASH.
“Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër”./atsh