Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “liderët e Bashkimit të sotëm Europian që nga Presidenti i Këshillit Europian, tek Presidenti i Komisionit, Komisioneri përkatës për Zgjerimin e kanë thënë më qartë sot, më shkoqur se asnjëherë tjetër se kjo që ka ndodhur është një rezultat i mosarritjes së konsensusit mes vendeve anëtare për arsyet e tyre”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin në Detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mbi dështimin e konsensusit në Këshillin Europian, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Rama tha se “kam marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh drejtpërdrejt nga një pjesë e kryeministrave të pranishëm në takim, kemi qenë në kontakt edhe gjatë ditës së djeshme, edhe në mbrëmje, me disa prej tyre, kam komunikuar edhe me Presidentin e Francës, Manuel Macron dhe faktikisht nëse nëse duam të shikojmë drejt ne sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh duke e parë nga të gjitha kontaktet, nga të gjitha diskutimet se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë e një pjese të konsiderueshme të frontit që ishte për një ‘Po” të qartë. Ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje me shpresën për të pasur një pikë kompromisi duke i vendosur një ‘Por’ ‘Po’-së në mënyrë të përsëritur në takimet mes Kancelares Merkel dhe Presidentit të Francës në javën e fundit që koinciduan edhe me këtë këshill, kjo çështje është diskutuar dhe nuk ka pasur nga ana e tij asnjë hapje”.
“Nuk ka pasur asnjë hapje për të gjitha ato që i dëgjuat vetë dhe që në konferencën e shtypit pas përfundimit të Këshillit i tha ndoshta më shkoqur se herët e tjera, unë e kam dëgjuar edhe më shkoqur se aq: Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces”, – nënvizoi Rama.
Kreu i Qeverisë tha se “Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së dhe kërkon një transformim të vetë procesit të integrimit, madje deri në pikën që të arrihet në një tjetër objektiv për horizontin e integrimit, që do të thotë një dhe ndërveprim me Ballkanin Perëndimor që nuk mund të zhvillohet sipas Presidentit të Francës me të njëjtin metodë që është zhvilluar procesi i deritanishëm i zgjerimit”.
“Është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore: jo po azilantët, jo po kjo, jo ajo, këto janë bishta. Në këtë situatë, cilido nga vendet që janë sot në BE dhe të priste mbrëmë konsensus, nuk do ta kishte marrë dot, për arsye se tema është spostuar gjetkë”, – tha Rama. /atsh