Loading...

Kodheli: 25 vende i kanë thënë ‘Po’ Shqipërisë për negociatat, i kemi bërë detyrat që na u caktuan

Ish-ministrja e Mbrojtjes, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli gjatë një interviste televizive tha se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat dhe meriton çeljen e negociatave.

Kodheli u shpreh se duhet të jemi krenarë për atë që kemi bërë, pasi shkojmë në Europë me vlerën dhe traditën tonë dhe jo si qytetarë të dorës së dytë.

“Është një moment i vështirë për shumëkënd. BREX-it, rikonceptimi i Macron për një Europë tjetër, i komplikon gjërat. Duhet të jemi krenarë dhe për arritjet tona. Ne nuk shkojmë në Europë si lypsarë, apo qytetarë të dorës së dytë. Ne shkojmë me traditën tonë”, – theksoi Kodheli.

“Europa ka qenë e turbullt edhe në vendimmarrje të tjera të rëndësishme dhe nuk ka qenë domosdoshmërisht ajo që i ka prerë drutë shkurt. Ne do bëjmë përpjekjen tonë duke pasur miq të mirë që është Europa dhe një Perëndim më i largët akoma”, – shtoi Kodheli.

“Vlerat tona i shtohen atyre europiane. Ne jemi në një pozicion fitues, se i kemi bërë gjërat mirë. Bundestagu ka qenë i qartë, ka pasur një ekspertizë të thellë për të na shtruar në tryezë dy gjëra për ta kapërcyer krizën. Këto kanë qenë Gjykata Kushtetuese dhe Kodi i ri Zgjedhor. Kriza kanë edhe vende të tjera, por mënyra se si e zgjidhin është e ndryshme. Ne si shqiptarë nuk duhet të jemi disfatistë”, – tha më tej Kodheli.

“25 apo më shumë vende, besojnë fort se Shqipëria i ka bërë detyrat dhe duhet t’i çelen negociatat, ndërsa disa vende të tjera, për arsye të tyre të brendshme, mendojnë se nuk duhen hapur negociatat për arsye që jo domosdoshmërisht lidhen me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, ajo që ka rëndësi është që ne i kemi bërë detyrat që na u caktuan”, – nënvizoi Kodheli.

“Patjetër që do punojmë për të realizuar kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman. Ne do duhet të punonim për realizimin e 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman, edhe sikur negociatat të na ishin hapur pa kushtet e dhëna nga Bundestagu. Ne do të vazhdonim drejt reformës që kemi nisur me seriozitet dhe bindjen se jemi duke bërë gjënë e duhur për vendin dhe për shqiptarët. Sigurisht do kishim shpresuar të ishim një shembull dhe për shqiptarët kudo ku janë, pasi ka vend që shqiptarët mund dhe duhet të demonstrojnë që janë të mirë ndër të mirët”, – theksoi Kodheli./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com