Loading...

Shumica e vendeve të BE, PO hapjes së negociatave për Shqipërinë

“Ajo që sot është evidente është që Presidenti i Këshillit Europian, Presidenti i Komisionit Europian, Komisioneri për Zgjerimin, kancelarja e Gjermanisë dhe shumica dërrmuese e vendeve të Bashkimit Europian jo vetëm që duan ti thonë PO Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por e thonë me plot gojën që ky është një problem i ynë i brendshëm ndërkohë që në mikrobotën shqiptare vazhdohet me propagandën bajate se, jo po se kjo lidhet me qeverinë, jo po me këtë e jo po me atë”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Rama u shpreh se,” kjo nuk lidhet fare me asgjë nga këto sepse po të mos i kishim bërë ne detyrat sot nuk do të kishim marr këtë mbështetje kaq të madhe dhe nuk do të kishim marrë mbi të gjitha PO-në e Gjermanisë”.

I pyetur lidhur me 9 kushtet e vendosura nga Gjermania, Rama tha se “nuk janë 9 kushte, por janë 999 kushte për të përmbushur deri sa Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian siç janë 999 kushte që do të përmbushin gjithë të tjerët. Disave këto kushte u kërkohen më vonë disave më shpejt dhe përsëri dhe kjo, varet nga dinamikat dhe kompromiset e brendshme, varet nga politika dhe teknologjia e integrimit sepse ka Bashkimi Europian një strukturë të cilën e paguan me miliarda që quhet Komisioni Europian. Ajo është struktura që bën vlerësimin teknik, që thotë sa është luftuar apo nuk është luftuar korrupsioni, krimi apo sa janë bërë reformat. Pastaj kur çështja shkon në nivelin politik aty nuk është thjesht një lexim i raportit të Komisionit, por është një përputhje e interesave të brendshme. Franca ka interesat e veta dhe mban një qëndrim të ndryshëm, Gjermania ka të vetat dhe kështu me radhë”, theksoi Rama.

Ai shtoi se “çelja e negociatave fillon me konferencën ndërqeveritare ku qeveria e vendit dhe qeveria e Bashkimit Europian ulen në një tryezë. Për t’u ulur në atë tryezë ne duhet të kemi kryer dy punë, e para reformën zgjedhore dhe plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i SPAK”.

Rama theksoi se, “Reforma Zgjedhore do të kryhet brenda dhjetorit sipas të rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe sipas asaj që unë kam shpallur me dy shkallë, pra shkalla e parë që përmbush këtë kërkesë do kryhet brenda dhjetorit me apo pa Partinë Demokratike dhe opozitën jashtë parlamentare”.

“Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i SPAK-ut do të bëhet besoj po brenda vitit, le të themi në fillim të vitit tjetër pasi janë procese që nuk varen nga qeveria. Ama një gjë është e sigurt: Qoftë këto të dyja dhe të tjerat me radhë nuk janë sepse i duhen Gjermanisë, Francës apo Holandës. Janë sepse na duhen ne dhe janë pjesë e procesit tonë, dhe do t’i kishim bërë dhe pa ata dhe do t’i bëjmë dhe pa ata”, përfundoi kryeministri Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com