Loading...

Buxheti faktik 2018/ U ndërtuan 114 shkolla në të gjithë vendin

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tha sot në Kuvend se “me buxhetin e vitit 2018 janë përfunduar rreth 114 shkolla”.

Në fjalën e saj në seancë ku po diskutohet për projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik për vitin 2018” , ministrja Shahini u shpreh se “kemi filluar nismën e librave falas për herë të parë që ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë buxhetin familjar për arsimimin e fëmijëve të tyre. 600 milionë lekë të reja për librat falas për të gjithë nxënësit nga klasa e I-IV për vitin 2018 dhe pastaj shtuam klasën e pestë për 2019, si dhe për të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta që përfitojnë ose asistencë sociale, fëmijë me aftësi të kufizuar ose që vijnë nga pakicat kombëtare”.

“Janë rritur pagat e mësuesve ashtu siç është premtuar në 2013 çdo vit dhe në 2018 ka patur rritje prej 7% të pagës së mësuesve”, – u shpreh ajo.

Ministrja Shahini tha se në 2018 janë shtuar 900 mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Për arsimin e lartë ishte fillimi i investimeve në konvikte për studentët, studentët që jetojnë në konvikte që vijnë nga familje me pak të ardhura, mund të kenë familje me asistencë sociale, por ata meritojnë të jetojnë në banesa moderne”, – nënvizoi Shahini duke shtuar se investimi në konvikte filloi në 2018 po vazhdon në 2019 dhe synon të mbyllet plotësisht në 2020.

Ministrja Shahini sqaroi se “kritikën që qeveria Rama po e shkatërron arsimin nuk e kuptoj, nuk e di ku keni jetuar para 5 viteve apo 10 viteve, që të vini në këtë konkluzion sot. Kemi mjaftueshëm indikatorë që tregojnë se arsimi si në nivelin parauniversitar dhe në nivelin e arsimit të lartë është në përmirësim e sipër”.

“Testi PIZA që mat aftësinë bazë të nxënësve 15 vjeçarë në gjuhë, letërsi, matematikë, shkenca është bërë në 2012 dhe është përsëritur në 2015 dhe Shqipëria ka shënuar rritjen me të madhe nga vendet anëtare në rezultatet e nxënësve në matematikë gjuhë dhe në shkenca”, – tha Shahini.

Sipas saj, përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara, rreth 4500 fëmijë, është rezultat i rritjes së mësuesve ndihmës./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com