Loading...

Rritje e investimeve italiane në Shqipëri/Së shpejti marrëveshje në fushën e kërkimit të naftës

Krahasuar me disa vite më parë, shifrat flasin për rritje të investimeve italiane dhe rritje eksponenciale të numrit të turistëve italianë në Shqipëri.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin italian, Giuseppe Conte.

Rama vlerësoi se “potenciali për marrëdhënie ekonomike, bashkëpunimin dhe investimet italiane në Shqipëri është i jashtëzakonshëm”.

Ndërkohë, Rama tha se “në fushën e turizmit ka një sërë shprehjesh interesi që kërkojnë kohën e tyre për t’u maturuar”.

Në sektorin e energjisë, Kryeministri u shpreh se “së shpejti do të bëjmë publike një marrëveshje me një gjigant italian në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit”.

“Është një proces që kërkon kohën e vetë për të bërë gjithë mbledhjen e të dhënave dhe për të kaluar gjithë procedurat e nevojshme. Besoj se një harmonizim i mirë i forcave dhe një punë e përbashkët më e fokusuar në disa drejtime, patjetër që do të na japë rezultate më domethënëse”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri Rama njoftoi se ka pranuar ftesën për të vizituar së shpejti Romën, ku shpreson se do të ketë më shumë kohë për të shkuar në detaje në të gjitha aspektet e bashkëpunimit dhe për të adresuar objektivat e përbashkët në interes reciprok. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com