Kryeministri Edi Rama, ka zgjedhur të promovojë një investimin kurajoz të Jaho Xhebro, që me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, në majë të maleve mes një bukurie magjepsëse, ka ngritur një agroturizëm fitimprurës, jo vetëm për familjen e tij por edhe zonën.
“Shqipëria që nuk bën lajm në media është një vend ku punohet, prodhohet, eksportohet, zhvillohet ekonomia e familjeve që i përkushtohen të ardhmes, duke e nxjerrë fitimin nga puna edhe aty ku duket sikur s’ka asnjë mundësi”, tha kryeministri Rama.
Ai përcjell rastin duke theksuar: “Ja një nga shumë e shumë shembujt e kurajos, besimit dhe punës së ndershme, në majë të maleve e në mes të një bukurie magjepsëse, ku një ngrehinë e vjetër mbijetese, sapo është kthyer në një agroturizëm fitimprurës, nga Jaho Xhebro e familja e tij, me mbështetjen e qeverisë shqiptare, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural”.
“Tanimë nuk është më kjo familje që duhet të gjejë rrugët e pamundura për të nxjerrë prodhimet e pakta në treg, po janë vizitorët vendas e të huaj që marrin rrugën deri atje, për të shijuar natyrën e mrekullueshme dhe ushqimet bio të zonës, duke thithur ajrin e pastër të Nivicës”, shprehet kryeministri Rama./atsh