Gazetari i njohur dhe ish-korrespondenti i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Riza Hoxha, ndërroi jetë sot në moshën 61-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.
Gjatë punës së tij rreth 21 vjeçare si korrespondent i ATSH-së, Hoxha mbulonte veriun e Shqipërisë, qytetet e Tropojës, Kukësit, Pukës, Hasit etj. Hoxha ka qenë një nga gazetarët e parë kuksianë të pas viteve ’90 dhe është dalluar për zhanrin e reportazheve të shkruara social-ekonomike për qarkun e Kukësit e jo vetëm.
Në lajmet e kolegut tonë binte në sy saktësia dhe shpejtësia me të cilën ai raportonte. Një vend të veçantë në punën e tij zinin informacionet dhe reportazhet nga Kosova.
Ne kolegët e tij do ta kujtojmë për kontributin e tij të madh në fushën e gazetarisë dhe veçanërisht në informacionin për ATSH.
Agjencia Telegrafike Shqiptare i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve./atsh