Rikualifikimi i qendrës historike të Vlorës e bën qytetin bregdetar jo vetëm destinacion për detin, plazhin, historinë dhe kulturën, por edhe destinacion të një zhvillimi të ri ekonomik.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga Vlora se hapësira e brendshme e qendrës historike të Vlorës, do të transformohet në larmi aktivitetesh ekonomike.
“Përpara se të vija këtu, në këtë foltore, bashkë me Majkun dhe me miqtë e tjerë që na nderojnë sot bëmë një vizitë të shkurtër në brendinë e një godinave ku po lind një hotel butik, i paimagjinueshëm për Vlorën pak vite më parë dhe ku me shumë shije po harmonizohet e shkuara me ambicien për të ardhmen në funksion të rritjes të rritjes ekonomike, të punësimit dhe të rritjes së fuqisë tërheqëse të këtij qyteti. Si ai hotel që po ndërtohet, kështu do të jenë të gjitha hapësirat e brendshme të këtyre godinave, natyrisht me një larmi aktivitetesh ekonomike”, tha ai.
Si ai hotel, tha Rama, që po ndërtohet, ashtu do të jenë të gjitha hapësirat e brendshme të këtyre godinave, me një larmi e dinamikë të re ekonomike, por duhet pak durim ashtu siç u desh pak durim për transformimin e ndodhur në Korçë.
Kryeministri shprehu bindjen se, pa dyshim zona historike e Vlorës, do të kthehet nga një gropë e zezë ku askush nuk i kalonte pranë dhe ku tregtarë të varfër përpiqeshin të nxirrnin bukën e gojës duke shitur rroba të përdorura, në një arsye për të ardhur në Vlorë, jo vetëm në periudhën e verës, por edhe të dimrit, duke u bërë një pikë tërheqëse për të gjitha stinët”.
“Sepse paralelisht me gjithë këto zhvillime jemi shumë pranë fillimit të një zhvillimi rrënjësisht transformues përmes shumë projekteve të reja në infrastrukturë dhe ekonomi”- tha kryeministri.
Në kuadër të rehabilitimit dhe restaurimit të lagjes historike të Vlorës është bërë rehabilitimi i gjithanshëm i të gjitha lagjeve të zonës, duke risjellë në vëmendje elementët e arkitekturës tradicionale, njëherësh duke iu përgjigjur kërkesave të jetës aktuale. Gjithashtu është bërë rivlerësimi urban i shesheve brenda zonës, duke studiuar hartat e vjetra të qytetit dhe duke ruajtur sa më shumë elementët tradicionalë dhe gjurmët e vjetra të zonës. Është bërë rikonstruksioni i rrugëve “Justin Godard”; “Irfan Shehu”, “Elham Doci” dhe është kryer restaurimi i objekteve historike të zonës./atsh