Shumica dërmuese e vendeve të Europës janë shprehur në mënyrë të paekuivok në mbështetje të progresit që Shqipëria ka bërë në rrugën drejt çeljes së negociatave.
Kështu, është shprehur, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një prononcimi për media pas ceremonisë së përurimit të zyrës së Zyrës së Shërbimit ndaj Qytetarëve në Komisariatin e Malësisë së Madhe.
Duke folur për çeljen e negociatave, Lleshaj theksoi se është tejet optimist për rrugëtimin e vendit tonë. “Kam pasur mundësinë gjatë këtyre ditëve, të cilat kanë qenë ditë intensive me vizita në Gjermani, në Bruksel, në vende të tjera, për të parë ecurinë e punës që po bëhet për hapjen e negociatave. Sigurisht që procesi është në rrugë të mbarë”, – tha ai.
“Shumica dërrmuese e vendeve të Europës janë shprehur në mënyrë të paekuivok në mbështetje të progresit që Shqipëria ka bërë në këtë fushë. Sigurisht ka patur një farë skepticizmi nga Holanda, Franca, skepticizëm të cilin ne përpiqemi ta kuptojmë”, – vijoi Lleshaj.
“Megjithatë më duhet të them atë që ja kam thënë edhe kolegut tim holandez, edhe me atij francez që Shqipëria për hir të së vërtetës i ka bërë të gjitha ato që Europa ka kërkuar ndaj saj. Ne sigurisht nuk mund ta ndërrojmë veten tonë, por ne kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për plotësuar ato kritere për integrimin e vendit tonë në BE”-, theksoi Ministri i Brendshëm.
“Dua t’ju them këtë, që në Holandë ka një nivel të caktuar kriminaliteti që buron nga disa qytetarë që mbajnë pasaportë shqiptare, por edhe në këto kushte niveli i kriminalitetit që po ushtrohet nga këta qytetarë është shumë herë më i ulet nga niveli i kriminalitetit që ushtrohet nga qytetarët e vendeve të tjera anëtare të BE, që jetojnë në Holandë të cilët janë nga pikëpamja numerike më të vegjël sesa Shqipëria”, – vijoi Lleshaj.
“Pra nuk është se shqiptarët përfaqësojnë një gogol të rrezikshëm për vetë Holandën, dhe këtë e dinë edhe politikanët holandezë dhe besoj që edhe në vendimin e tyre të ardhshëm do të reflektohet ky fakt”, – tha Lleshaj. /atsh