Loading...

Nobeli në letërsi për Peter Handke/ Akademia e Shkencave: Akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u njoh me shqetësim e zhgënjim të thellë me vendimin e jurisë së çmimit Nobel në letërsi, i cili për këtë vit iu rezervua shkrimtarit Peter Handke.

Duke qenë prej shumë vitesh propozuese ngulmuese e kandidaturës së shkrimtarit shqiptar me reputacion të gjithëvlerësuar botëror Ismail Kadare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u është shmangur interpretimeve të kësaj jurie.

Por laureimi i sivjetmë, që me të drejtë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Europë e në botë, ku dhe Akademia e Shkencave ka reaguar për këtë laurim.

“Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të Kodit të Etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin”, deklaron Akademia e Shkencave.

Në reagimin e Akademisë së Shkencave thuhet se, ”ne nuk gjykojmë vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të sivjetëm. Ne na dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.

“Pyetja jonë është: A mund të besohet më kjo “parimësi”? Prej kohësh janë paraqitur dyshime për moralin e Nobelit në Letërsi. Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës. Siç ka ndodhur që talente të jashtëzakonshëm në letërsi të rezultojnë, shumë kohë pas shpalljes fitues, që kanë pasur implikime okulte në jetën shoqërore”, vijon reagimi i i Akademisë së Shkencave.

“Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht”, shkruhet në reagim.

Sa më sipër, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com