Loading...

Qarku i Vlorës dhe Muğla në Turqi, marrëveshje binjakëzimi për zgjerimin e lidhjeve ekonomike e turistike

Prefektura e qarkut të Vlorës dhe ajo e Muğla, në Turqi nënshkruan një marrëveshje binjakëzimi për zgjerimin e lidhjeve tregtare, ekonomike, shkencore, kulturore dhe turistike.

Marrëveshja u nënshkrua nga Prefekti i Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj dhe Prefektja e qarkut Muğla, Esengül Civelek.

Gjatë qëndrimit në Muğla, prefekti Mamaj u takua me Kryetarin e bashkisë së Muğla me të cilin diskutoi për shkëmbimin e eksperiencave të frytshme midis dy prefekturave në të gjithë sektorët.

Axhenda vijoi me takime me kryetarin e bashkisë Akyaka, nënprefektin dhe kryetarin e bashkisë së Bodrumit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë shprehu interes dhe dëshirë për të patur bashkëpunime të mëtejshme me Dhomat e Tregëtisë dhe Industrisë në Shqipëri, si dhe realizimin e binjakëzimit të Dhomave të Tregtisë midis dy Prefekturave.
Prefekti i Qarkut Vlorë vijoi me takimet në institucionin e Bursës Tregtare.

Një institucion, i cili certifikonte prodhimet e zejtarisë, bujqësisë dhe blegtorisë dhe përcaktonte çmimin e daljes së tyre në treg.

Në takimet e zhvilluara me administratorët e resorteve më të mëdha në Prefekturën e Muğla, me kërkesën e dy prefektëve shprehën gatishmërinë dhe pëlqimin për t’u ofruar tur operatorëve të qarkut Vlorë eksperiencën dhe idetë inovative që garantojnë suksesin e tyre në treg.

Pronarët e resorteve ftojnë të gjithë tur operatorët e interesuar të qarkut Vlorë në një takim pune në ambientet e tyre për të shkëmbyer eksperiencat dhe modelet e suksesit.

Krijimi i hapësirave ekologjike në qarkun e Vlorës si dhe bashkëpunimi për krijimin e turizmit spitalor ishte fokusi i diskutimit të tyre.

Takimi me zv/rektorin e Universitetit të Muğla, i cili ishte një ndër universitetet më të mëdhenj përfshinte të gjitha degët e studimeve përveç drejtësisë. Nisur nga prezantimi i Prefektit të qarkut Vlorë Mamaj, Zv/rektori Universitetit të Muğla shprehu dëshirën për të bërë binjakëzim me universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Më pas delegacioni i kryesuar nga Prefekti i Qarkut Vlorë vizitoi sitet arkeologjike dhe turistike të Prefekturës së Mullës, të cilat lanë mbresa të këndshme.

Në vijim qarku u Vlorës do të vizitohet nga Prefektja e qarkut Muğla, shoqëruar nga kryetarët e bashkive qe ka nën juridiksion, si dhe investitorë potencial për të bashkëpunuar me bizneset në qarkun e Vlorës./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com