Loading...

Letra drejtuar Holandës për negociatat, Margariti: Shqipëria ka bërë hapa pozitivë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpreh besimin se Shqipërisë do t’i çelen negociatat në 18 tetor.

“Jam shpresëplotë për 18 tetorin. Po tregojmë një fytyrë të Shqipërisë së angazhuar, energjike. Mendoj se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë për të ndryshuar mendësinë dhe angazhimin e saj dhe mendoj se kjo do të shpërblehet”, tha Margariti.

E ftuar në një nga studio televizive në vend, Margariti, një ndër 8 ministret nismëtare të një letre të dërguar ekzekutivit dhe parlamentit holandez me kërkesën për hapjen e negociatave shpjegoi se pse u ideua një letër e tillë dhe çfarë kërkohet me të.

“Shqipëria ka bërë goxha punë të mirë edhe pse nuk mund të themi se kemi arritur perfeksionin, ka ende punë për të bërë. Me atë letër është ndërgjegjësimi që ne i kërkojmë Europës të përfshihemi në një proces negociatash. Kemi ndërmarrë shumë punë, kemi arritur rezultate edhe në nivelin e qeverisë dhe i jemi drejtuar një shteti që ka krijuar një shëmbëlltyrë të tolerancës, të mirëqenies. Jemi drejtuar si gra sepse besojmë në forcën e gruas në Shqipëri. Zëri i gruas po i kthen fytyrën Shqipërisë. Ne jemi rikthyer në vendin tonë për të bërë më të mirën në vendin tonë. Jemi gati për t’u angazhuar edhe më tepër. Thjesht po kërkojmë që punën dhe entuziazmin e deritanishëm ta çojmë më tej, me një çelje negociatash. Edhe raporti i Kombeve të Bashkuara na ka inkurajuar akoma më tepër të jemi një zë i fortë”, theksoi ministrja.

Ne po kërkojmë, vijoi ajo, që puna e bërë të mos shumëzohet me zero dhe të mos kanalizohet në një aspekt zhgënjimi.

“Duam t’i tregojmë jo vetëm Holandës, por edhe vendeve të tjera se Shqipëria ka ecur mirë dhe ka mundësinë të ecë akoma më mirë. Lufta kundër korrupsionit është një betejë që zhvillohet në të përditshmen tonë dhe ka pasur hapa pozitivë. Kemi gjithmonë e më tepër në administratë persona profesionistë. Kemi persona që kanë studiuar jashtë, që kthehen në vendin e tyre dhe sjellin një frymë të re dhe me ta po çojmë përpara gjëra të mëdha”, deklaroi ministrja./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com