Loading...

Rihapet “Syri i Kaltër”/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Rrethim i zonës dhe restaurim i ballkonit panoramik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com