Në renditjen më të re të federatës së tenistëve profesionstë ATP, e cila bazohet në rezultatet e 52 javëve të fundit, kampioni Novak Djokoviç vazhdon të mbetet mbreti botëror i tenisit.
Ai zë vendin e parë në renditje që nga 5 nëntori i vitit të kaluar dhe ka në total 10 365 pikë, duke u paraprirë dy gjigantëve të tjerë të padiskutueshëm të tenisit botëror, Rafael Nadal (me 9225 pikë) dhe Roger Federer (7130 pikë), të ndjekur nga rusi Daniil Medvedev (4965 pikë).
Ndërsa për të pestën javë radhazi (dhe të dymbëdhjetën në total) australiania Ashleigh Barty udhëheq botën në tenisin për femra, me 7096 pikë. Çekja Karolina Pliskova, e cila kalon para japonezes Naomi Osaka (5621 pikë) “pushton” vendin e dytë në federatën WTA, me 6015 pikë, duke u ngritur me një pozicion. Në vendin e katërt është Elina Svitolina nga Ukraina (me 5525 pikë, përpara kanadezes Bianca Andreescu që kapërcen ish-mbretëreshën Simona Halep, që zbriti në vendin e gjashtë. Në dhjetëshen më të mirë ka edhe vend për Serena Williams, tani e nënta, përpara zviceranes Belinda Bencic. Fotografia e dhjetëshes së parë është kompletuar nga çekja Petra Kvitova, në vendin e shtatë, dhe holandezja Kiki Bertens, në vendin e tetë. /atsh