Në qytetin bregdetar të Vlorës vijon me ritme të larta puna për pastrimin e kanalit të “Naunkës”, një nga më kryesorët në qytet, ndërsa është realizuar edhe ndërtimi i katër urave të cilat ishin dëmtuar.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli inspektoi sot punën që po realizohet, shoqëruar nga nënkryetari, Shkëlqim Rama dhe drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili.
“Punonjësit e bashkis se Vlorës po punojnë për muaj të tërë në kanalet e bllokuara dhe ta atyre që kanë vështirësuar gjithmonë rrjedhjen e ujërave nga qyteti në drejtim të hidrovorit apo detit. Ajo që dua tu tregoj qytetarëve është se duhet të marr fund ndërtimi në buzë të kanaleve dhe në hapësira të tjera që prishin vazhdimësinë normale të rrjedhjes së ujërave në drejtim të hidrovorit të qytetit”-, tha Leli.
Kryebashkiaku Leli falënderoi punonjësit e bashkisë dhe të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë.
“Kemi punuar në këto vite që rrjeti i kanaleve të qytetit të jetë në funksion. Në këtë zonë informale ku ka ndërtime pa fund që kanë dëmtuar strukturën e kanalizimeve kanë ngelë edhe 70 metra e fundit për të pastruar. Me mbërritjen e shirave do e kemi përfunduar të gjithë kanalin dhe shpresojmë të kemi më pak problematika”-, theksoi Leli.
Sipas tij, kjo punë meriton vlerësimin e të gjithëve.
“Banorët para çdo godine, para çdo ndërhyrje infrastrukturore pa leje që kanë bërë 25 vitet e fundit kanë dëmtuar kanalet. Na është dashur të rindërtojmë katër ura, që ishin dëmtuar nga fondi i bashkisë dhe nga bashkëpunimi që kemi pasur me donatorët që të përmirësojmë jetën e këtij komuniteti”-, – shtoi ai.
Leli i bëri apel qytetarëve të mos hedhin mbeturina në kanalet kulluese të qytetit.
“Punonjësit e bashkisë kanë gjetur lavatriçe, goma makinash, qese me mbeturina etj. Janë qytetarë të papërgjegjshëm që shkaktojnë këtë kaos të madh bashkisë dhe qytetit”, – tha Leli.
Kryebashkiaku Leli tha se janë qytetarët ata që duhet t’i mbrojnë këto investime/atsh