Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, ka numëruar 100% të votave të rregullta për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 202.968, vota apo 25,48%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 197.702 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 169.211, apo 21.24%.
Koalicioni AAK-PSD ka marrë 92.149 vota apo 11,57%; Lista Serbe ka marrë 6.61 për qind ose 52.620 vota.
Koalicioni Nisma-AKR-PD mbetet nën pragun zgjedhor, pasi ka marrë 39.495 vota apo 4.96%.
Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat pritet në numërohen gjatë ditëve të ardhshme.
Nga numërimi i 100% të votave, 40.732 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.
Në zgjedhjet për nivelin qendror në qershor 2017, mbi 42 mijë fletëvotimi të qytetarëve u shpallën të pavlefshme.
Shifra e votave të pavlefshme pothuajse u dyfishua në tetor të po atij viti kur vendi shkoi në zgjedhje lokale. Ishin rreth 80 mijë vota, të cilat KQZ-ja i shpalli të pavlefshme. /KosovaPress/