Margarita Xhepa, aktorja e dashur për shumë breza, i është bashkuar fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë “Tetori rozë” dhe ka një thirrje zemre për të gjitha gratë.
Në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa bëri një thirrje të ndjerë për të gjitha nënat shqiptare, të kujdesen për veten, të kryejnë kontrollin rutinë sepse kancer i gjirit nëse kapet në kohë mund të shërohet.
“Nënat janë mbështetja më e madhe e fëmijëve dhe bashkëshortëve të tyre. Kur sëmuret nëna, sëmuret e gjithë shtëpia. Prandaj të dashura gra, shkoni për një vizitë rutinë te mjeku. Mendoni për shëndetin tuaj dhe të fëmijëve, të cilët gjithmonë kanë nevojë për kujdesin dhe dashurinë tuaj. Kanceri i gjirit po të kapet që në fillim nuk bën rrezik”, tha Xhepa në videomesazhin e saj./atsh