Loading...

Përkujtohet ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, kujton ekzekutimin e deputetëve të opozitës vrarë në shtator 1947, plot 72 vite më parë.

“Një ditë kujtese dhe mendimi. E paharruar seanca parlamentare ne përkujtim te rezistencës dhe martirizimit të grupit të deputetëve. Çdo tetor na kujton sa me fat jemi që jetojmë në demokraci!”, shprehet kryetarja e AIDSSH, Gentiana Mara Sula.

Në datën 10 shtator 2017, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një aktivitet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në kujtim të martirizimit të grupit të deputetëve të pushkatuar nga regjimi komunist.

Kjo ngjarje, mbetur e mbuluar për një kohë të gjatë, duhet të na shërbejë për një reflektim të thellë, jo thjesht për të nxjerrë të vërtetën e asaj ngjarjeje, por për të reflektuar për lirinë.

Ekzekutimi i deputetëve të opozitës së parë të vitit 1945

Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës; Shefqet Beja, deputet i Durrësit; Enver Sazani, deputet i Durrësit; Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës; Irfan Majuni, deputet i Dibrës; Faik Shehu, deputet i Dibrës; Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja, pati guximin të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë.

Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.

Vendimi

Më së fundmi, pas shumë akuzash dhe kundër akuza, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947:

“…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen:Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi.

Në fund, numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.

Ekzekutimi në Malin me Gropa

Të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë Nr. 313 në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Pas kësaj do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com