Loading...

Reja për ndeshjen me Turqinë: Mundësia e fundit për të shkuar në Europë

Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp nga ambientet e FSHF, ku ka shpallur listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese të EURO 2020. Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor ndaj Turqisë dhe në datën 14 tetor ndaj Moldavisë, të dyja në transfertë.

Trajneri Reja në fjalën e tij theksoi:“Kam folur me Mavrajn i cili këtë javë duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në krah. Kjo është arsyeja pse nuk është përfshirë në listë, por do ta ftoj sërish. Sadiku në çastet e fundit më ka kërkuar të mos grumbullohet për një problem të rëndësishëm familjar, kjo është e gjitha. Të dy do të kthehen në Kombëtare për raundin tjetër të ndeshjeve”.

Duke folur për ndeshjen me Turqinë, trajneri shtoi se shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv. “Do të shkojmë në Turqi me besim. Dihen vlerat e lojtarëve të Turqisë, ata kanë shumë cilësi dhe marrin pjesë në Kupat e Europës. Ne po krijojmë një grup të rëndësishëm dhe mund të marrim rezultate kudo. Shkojmë me bindjen që mund të bëjmë lojën tonë. Janë të fortë në kundërsulm. Nga ana taktike do bëjmë një ndeshje shumë të mirë, për të marrë një rezultat pozitiv. E dimë shumë mirë që është mundësia e fundit për të shkuar në Europë. Ambienti është gati për të marrë një fitore ndaj Turqisë. Edhe barazimi nuk na intereson. I vetmi objektiv është të bëjmë një ndeshje sa më pozitive për të marrë një rezultat pozitiv, që është fitorja”, – u shpreh Reja.

Ndeshja mes ekipeve kombëtare të futbollit të Turqisë dhe Shqipërisë do të luhet në Stamboll për fazën eleminatore të “Euro 2020” ku Shqipëria është në grupin H./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com