Të gjitha gratë dhe vajzat mund të kryejnë falas kontrollin periodik të gjirit, gjatë gjithë vitit në poliklinikat dhe spitalet publike.
Gjatë periudhës janar-gusht 2019, 5.496 gra kanë kryer mamografi falas në spitalet e vendit. Nga këto 1.199 janë kryer vetëm në QSUT sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Gjithashtu në shërbimin onkologjik janë kryer 31.362 vizita gjatë periudhës janar-gusht 2019.
Ekzaminimin e mamografisë mund ta kryejnë të gjitha gratë në moshën mbi 50 vjeç. Por mund ta kryejnë edhe gratë e moshës 40-50 vjeç që janë në risk më të lartë (me risk të lartë konsiderohen ato gra që janë bartëse të defekteve gjenetike, që kanë histori familjare apo personale për kancer gjiri, probleme beninje të gjirit, që kanë fillim të hershëm dhe mbarim të vonshëm të menstruacioneve, mos lindje e fëmijës ose lindja e fëmijës mbi moshën 35 vjeç, obezitet, ind i ngjeshur të gjirit dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik).
Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë. /atsh