Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve vijon me ritme pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në qytetin e Vlorës.
Ditët e fundit puna u përqendrua në rrugën “Albano & Romina”, në segmentin që lidh këtë zonë me Transballkaniken, zonë që ka më shumë probleme gjatë përmbytjeve masive në qytetin bregdetar.
Punonjësit e UK Vlorë me mjetet e specializuara pastruan rrjetin, ku përdorën edhe telerobotin që ka bërë një verifikim të detajuar të kësaj linje.
“Kemi kryer pastrimin dhe larjen me sondë të linjave të kanalizimeve te “Albano&Romina”. për një rrjet sa më funksional”, shprehet UK, Vlorë.
Sipas UK, Vlorë, falë këtij roboti me kamerë të përdorur për pastrimin e këtij rrjeti janë gjetur edhe thasët me rërë që bllokonin rrjetin e kanalizimeve në këtë zonë.
Zona në rrugën “Albano & Romina” është bërë problematike në vite për shkak të përmbytjeve në qytet.
Pas realizimit të pastrimit nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve pritet që në këtë zonë të shmanget mbledhja e ujit dhe përmbytjet e qytetit në ditët me reshje intensive./atsh