Erkand Qerimaj arriti sot të fitojë tre medalje të arta nga Kupa Mesdhetare e Peshëngritjes që po zhvillohet në San Marino.
Në këto gara që janë edhe kualifikuese për Lojërat Olimpike të Tokios 2020, shtangisti shkodran dominoi në peshën deri në 81 kg. Qerimaj rrëmbeu 3 medalje të arta në garimin e tij në stilin e shtytjes, shkëputjes dhe në dygarësh. Në stilin e shkëputjes, ai ngriti 156 kg ndërsa në shtytje 190 kg duke e mbyllur dygarëshin në total me 346 kg.
Pjesë e Kombëtares Shqiptare në Kupën Mesdhetare të Peshëngritjes ishin edhe dy peshëngritësit e tjerë shqiptarë, Daniel Godelli dhe Briken Calja. Godelli mori dy medalje të bronzta, ndërsa Calja një argjendi dhe një bronz./atsh