Loading...

Salianji: Shqipëria ka mungesë të dhënash për krimin e organizuar dhe korrupsionin

“Shqipëria ka mungesë të dhënash për krimin e organizuar dhe korrupsionin” u shpreh sot ish- deputeti i PD-së Ervin Salianji.

Duke iu referuar raportit të OKB-së, Salianji shprehet se “Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin ka publikuar në 3 tetor Raportin Kërkimor “Dimensioni i Krimit të Organizuar: Vlerësimi i të dhënave në Ballkanin Perëndimor”. Qëllimi i këtij raporti kërkimor është të shqyrtojnë disponueshmërinë e të dhënave statistikore mbi krimin dhe posaçërisht për krimin e organizuar. Ky raport thekson gjithashtu se si disponueshmëria e të dhënave mund të sqarojë faktorë të rëndësishëm në lidhje me aftësitë e vendeve për të matur modelet dhe trendet e krimit të organizuar dhe të paraqesë disa zgjidhje praktike për të përmirësuar disponueshmërinë e këtyre të dhënave”.

“Ndër elementet që analizon raporti janë përgjigjia që i jep shteti krimit të organizuar nëpërmjet strukturave ligjzbatuese, prokurorisë, gjykatave dhe sistemit penitenciar. Elementë të tjerë të rëndësishëm janë edhe facilitet për krimin e organizuar siç janë pengimi i drejtësisë, korrupsioni dhe krimi kibernetik”, shprehet ai.

Po ashtu, Salianji shton se “Nga të dhënat që ofron raporti, Shqipëria nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me krimet e kryera nga organizatat kriminale, dhe këtu përfshihen pastrimi i parave dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Nga tetëmbëdhjetë indikatorë, Shqipëria nuk ka asnjë të dhënë për tetë prej tyre, ndërkohë që për dy prej tyre ka kërkuar kohë për të nxjerrë të dhënat manualisht. Krejt e kundërta ndodh me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ku Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia kanë të dhëna për të gjithë indikatorët ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë të dhëna vetëm për pesë indikatorë së bashku”.

“Ajo çka bie në sy në raport që është po ashtu specifike vetëm për Shqipërinë është fakti që nuk ka asnjë informacion në lidhje me indikatorin e korrupsionit që mbetet një nga pengesat kryesore për luftën kundër krimit të organizuar”, shprehet ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com