Ambasada gjermane në Tiranë organizoi sot një pritje me rastin e 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, personalitete të larta shtetërore, përfaqësues të komuniteteve fetare, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe drejtues të institucioneve shtetërore, titullarë e përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të biznesit, personalitete të artit, shkencës, kulturës dhe medias.
“Kënaqësi të merrja pjesë sot në pritjen e organizuar nga Ambasada gjermane në Tiranë, me rastin e 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë dhe t’i shprehja ambasadorit Peter Zingraf urimet më të ngrohta e të përzemërta për popullin mik gjerman. Shqipëria do vijojë të mbështetet fort në Gjermaninë mike dhe partnere strategjike”, – u shpreh Presidenti Meta.
Ai shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e çmuar, të gjithanshëm dhe të përhershëm që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe reformave demokratike!” – ka shkruar Meta krahas fotove të publikuara.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “Bashkimi gjerman na bashkoi të gjithëve sot në Ambasadën e Republikës Federale Gjermane në Tiranë”. “Trokitëm gotat me ambasadorin Zingraf për miqësinë shqiptaro-gjermane”, – tha ai.
Tetori Gjerman është shndërruar tanimë në një eveniment të përvitshëm në jetën kulturore të Shqipërisë dhe simbolizon angazhimin e madh të Gjermanisë në Shqipëri dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit gjermano-shqiptar.atsh