Që nga viti 1901, çmimet Nobel u janë dhënë burrave, grave dhe organizatave që kanë punuar për përparimin e njerëzimit, sipas dëshirës së krijuesit të tyre, shpikësit suedez, Alfred Nobel.
Ja pesë gjëra që duhet të dini në lidhje me historinë e tyre.
Nobel, poeti
I apasionuar pas poezisë angleze, adhurues i madh i Shelley-t dhe Byron-it, Alfred Nobel ka mbetur në histori si shpikësi i dinamitit, por ai nuk pushoi kurrë së shkruari vargje, në suedisht dhe në gjuhën e Shekspirit. “Unë shkruaj herë pas here me qëllimin e vetëm për të lehtësuar depresionin, ose për të përmirësuar anglishten time”, shkruante ai në një letër drejtuar një miku.
Nobel, në familje
Historia e familjes franceze Curie ndërthuret me atë të çmimeve Nobel. Në vitin 1903, çifti Pierre dhe Marie Curie nderohen me çmimin Nobel në Fizikë. Në vitin 1911, Marie Curie merr çmimin Nobel në Kimi, duke u bërë e vetmja femër që ka marrë dy çmime të tilla. Në vitin 1935, vajza e saj, Irene Curie dhe bashkëshorti i saj, Frederic Joliot marrin Nobel në Kimi. Motra e vogël e Irene-s, Eve Curie martohet me Henry Richardson Labouisse, që, në kohën kur drejtonte UNICEF-in, mori çmimin Nobel për Paqen (1965). Edhe etër e bij kanë lënë gjurmët e tyre në historinë e Nobelit, ku vlen të përmendet Niels Bohr, ati, që mori çmimin Nobel në Fizikë (1922) dhe i biri, Aage Niels, në vitin 1975.
Në mungesë
Që nga viti 1901, pesë laureatë të paqes nuk mundën të merrnin pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel për Paqen, në Oslo. Në vitin 1936, gazetari dhe pacifisti gjerman, Carl Von Ossietzky, lëngonte në një kamp përqendrimi nazist. Në vitin 1975, fizikani dhe disidenti sovjetik, Andrei Sakharov, u zëvendësua nga bashkëshortja, Elena Bonner. Në vitin 1983, sindikalisti polak, Lech Walesa, nuk shkoi në Oslo nga frika se mos nuk e lejonin të kthehej më në atdhe. Në arrest shtëpie, lideri i opozitës burmeze, Aung San Suu Kyi, i nderuar me çmim në vitin 1991, nuk shkoi në Oslo për të njëjtat arsye si Walesa, edhe pse mori autorizim nga junta ushtarake. Në vitin 2010, disidenti kinez, Liu Xiaobo, u burgos.
Matematika
Pse nuk ekziston një çmim Nobel në Matematikë? Shpjegimi më i besueshëm për këtë mungesë është i dyfishtë. Së pari, në 1895, kur Nobel shkroi testamentin e tij, në Suedi ekzistonte tashmë një çmim për matematikën dhe ai nuk e pa të nevojshëm krijimin e një tjetri. Së dyti, në fillim të shekullit XX, elitat dhe opinioni favorizonin disiplinat e aplikuara, kështu që për çfarë i duhej njerëzimit matematika?
Pas vdekjes
Që nga viti 1974, statutet e Fondacionit Nobel përcaktojnë që një çmim nuk mund të jepet pas vdekjes, përveçse kur vdekja ndodh pas shpalljes së emrit të laureatit. Në vitin 2011, për habi të të gjithëve, pas caktimit të çmimit Nobel për Mjekësinë, Asambleja Nobel e Institutit Karolinska mëson se një nga fituesit, kanadezit Ralph Steinman, kishte vdekur tri ditë më parë. Megjithatë, fondacioni vendosi ta gdhendte emrin e tij në listën e rekordeve prestigjioze./ atsh